VIDEO EKSKLUZIVE, Ermal Meta për Ora News: Suksesi im në Sanremo i dedikohet dhe Shqipërisë

ermal-meta-2-1-655x356

Kantautori shqiptar Ermal Meta, finalist në Festivalin e Muzikës italiane, Sanremo Giovanni 2016, e fitues i vendit të tretë, në një intervistë për Ora News rrëfen eksperiencën e pjesëmarrjes së tij në këtë event të rëndësishëm.

Ermal Meta: “Unë jam shumë i lumtur që mora pjesë në këtë event. Nuk e prisja të shkoja në Sanremo si solist sepse në 3 vitet e fundit kam punuar si autor . Kam shkruar shumë këngë për shumë këngëtarë italianë dhe në një moment vendosa të bëj një disk vetë dhe bëra me dije Mescal, Shtëpinë Diskografike timen. Atyre iu pëlqeu shumë disku im dhe vendosëm të provonim rrugën e Sanremos. Kam dëgjuar disa komente që nuk duhet të merrja pjesë në Sanremo Giovani. Unë nuk jam dakort sepse ky është një projekt i ri, është një rrugë e re dhe do më pëlqente më shumë të nisja nga e para.Shkoi shumë mirë, nuk e prisja vendin e tretë. Dëgjova se kishin ndodhur disa gjëra jo të mira, jo ligjore le të themi.Në këtë rast vendi i tretë mu duk pak të them të drejtën.Jo se e them vetë por ma kanë thënë disa të tjerë.Unë zakonisht jam mësuar të luftoj me duart e mia dhe me asnjë armë tjetër.”

Ermal Meta është sot një nga autorët më të kërkuar në muzikën bashkëkohore italiane. Ai është autor i mjaft këngëve të sukseshme të këngëtarëve si Marko Mengoni, Emma, Chiara, Analisa, Patty Pravo, Fedex etj.

I lindur në vitin 1981 në qytetin e Fierit, Ermal Meta emigron në Itali 22 vjet më parë së bashku me familjen e tij.

Më vitin 2007 me disa miq krijon grupin rock “La Fame di Camilla”, me të cilin më 2008 fiton Arè Rock Festival në rajonin e Pulias e çmimin Demo Aëard si grupi më i mirë muzikor i vitit.

Në vitin 2010, grupi i tij muzikor merr pjesë në Sanremo Giovani e eleminohet qysh në raundin e e parë të votimit. Më 2013 grupi “”La Fame di Camilla” shpërbëhet e Ermal Meta i dedikohet karrierës së tij si autor këngësh.

Më 2015 tashmë si kantautor Ermal Meta zgjidhet finalist në Festivalin e Këngës Italiane Sanremo 2016, në seksionin e të rinjve e vlerësohet me vendin e tretë.

Kënga e tij “Odio le favole”, (Urrej përrallat), me një linjë realiste rrëfen se si në jetën e gjithkujt, qoftë dhe një histori dashurie jo gjithmonë ka fundin e lumtur të një përralle.

Por ku ka qënë forca e Ermalit në këtë festival? Ai ka patur padyshim një mbështetje të madhe nga këngëtarë të njohur italianë, përfshirë këtu edhe Laura Pausinin.

Ernal Meta: “Shumë artistë më kanë shkruajtur në Twitter mbi të gjitha Laura Pausini që për mua ishte si ëndërr sepse unë kam shkruar me të në email disa herë por nuk kam patur mundësinë ta takoj.E kam takuar në Sanremo. Para se ta takoja, ajo më dërgoi këtë “tweet” ku shkruhej: Forca Ermal. Të gjithë fansat e saj u hodhën në këtë lloj aventure. U prit mjaft mirë dhe nuk e prisja. Isha shumë i lumtur”.

Mediat italiane gjatë ditëve të festivalit shkruan shumë për këngëtarin shqiptar duke i kujtuar madje dhe faktin që ishte shqiptar. Madje disa prej tyre ia dedikuan suksesin Ermalit faktit që ai ishte një talent degët e të cilit ngrohen nga dielli italian dhe rrënjët të ushqyera nga kripa shqiptare.

Ermal Meta: “Gjella pa kripë është pa shije. Këtë e di mirë. Shqipëria ka një vlerë shumë të madhe për frymëzimin tim. Unë kam shumë gjëra që nuk i mbaj mend dhe që i kam harruar se kam 22 vjet këtu. Mendja mund t’i harrojë por shpirti nuk i harron dot, i përmban të gjitha.Jam i sigurt që diku në thellësi është gjithë ajo që ishte jeta ime në Shqipëri.”

Por sa e vështirë ka qënë për Ermalin të arrijë deri aty ku është? Ai e definon shumë të vështirë pasi edhe miqtë kur të duken miq nuk janë miq.

Ermal Meta: “Ka qënë shumë e vështirë sepse edhe kur të duken miq nuk janë miq.Edhe kur të japin këshilla që të duken këshilla të mira, të japin këshilla që vetëm ti të rrëzohesh.Në këtë punë unë jam shumë i sinqertë.Nuk di të gënjejë por di t’i kuptoj gënjeshtrat.”

Por kush janë këshillat e Ermalit për këngëtarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit?

Ermal Meta: “E vetmja këshillë që unë mund t’i japë është fakti që nuk duhet ta bëjnë këtë punë për suksesin. Suksesi nëse e ka për të arritur, arrin.Ky aktivitet duhet bërë me pasion. Duhet të jetë i ushqyer vetëm nga pasioni, asgjë tjetër”.

Pak kohë më parë këngëtari shqiptar është bërë pjesë e shtëpisë diskografike Mescal, e themeluar nga kengëtari i njohur italian Luciano Ligabue, nga e cila kanë dalë artistë të njohur italianë si Bluvertigo, Afterhours, Subsonica, Perturbazione, La Crus, Carmen Consoli e Cristina Donà.

Kjo shtëpi diskografike ka kuruar dhe publikimin e albumit të parë të Ermal Meta “Umano” i cili sapo ka dalë në tregun diskografik italian.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Botuar nga Alba Kepi

Journalist Free Lance International Press albakepiblog.wordpress.com

Lini një koment