Hungaria, “Europe is us”

Alba Kepi

Prej 1 janarit 2011, Hungaria është Presidentja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian. “Lëru të huajve gjuhën e tyre, zakonet e tyre, pasi mbretëria që zotëron veç një gjuhë e ka kudo veç një kostum, është e brishtë dhe e përkohshme, (“Uunius linguae, uniusque moris regnum imbecille et fragile est”) – është shprehja më e njohur e Stefanit I të Hungarisë më 1846, mbi të cilën është bazuar përgjithësisht politika evropiane e Presidencës hungareze.

Me mbrëmjen gjigande “Europe is us” (Evropa jemi ne) populli hungarez festoi jo vetëm natën e fundit të vitit 2010, por dhe uljen e Hungarisë në fronin e Presidencës së Bashkimit Evropian. Me një ceremoni zyrtare të dekoruar me melodi e valle, në sallën e parlamentit hungarez Kryeministri belg Yves Leterme i dorëzoi Kryeministrit vendas Victor Orban flamurin e Presidencës hungareze në Këshillin e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Evropa ka përpara një vit nga më të vështirët që nga epoka e rënies së komunizmit. E kjo është një sfidë serioze, – u shpreh në fjalën e tij Kryeministri hungarez Orban, – megjithatë hungarezët janë një popull këmbëngulës e i fortë, që kapërcejnë çdo krizë dhe mund të konfirmoj se është një lajm i mirë për Evropën të ketë në këtë periudhë një Presidencë hungareze”.

Axhenda politike e Presidencës hungareze do të përqendrohet në katër tema kryesore: në punësimin dhe rritjen e modelit social evropian, për një Evropë më të fortë, për një qytetar evropian mik dhe në politikën e zgjerimit e të fqinjësisë së mirë.

“Një transformim pabesueshmërisht i shpejtë e i thellë po ndodh në të gjithë botën, – thotë Kryeministri Orban në intervistën e tij në faqen zyrtare të Presidencës hungareze evropiane, – dhe Evropa duhet të jetë në gjendje ta përballojë atë. Gjatë udhëheqjes sonë, – vazhdon ai, – duhet të kujtojmë se Evropa është vendi i lindjes së ekonomisë së tregut e ajo duhet të jetë në gjendje të orientohet drejt rrugëve të reja e rinovuese. Njerëzit ndihen të pasigurt për Evropën e të ardhmen e saj… e priten zgjidhje për të rilançuar rritjen ekonomike, ruajtjen e vendeve të punës e krijimin e vendeve të reja”.

Politika e Presidencës hungareze do të synojë stabilizimin e konsolidimin e ekonomisë, e bindur se çelësi i suksesit është strategia e orientuar drejt të ardhmes së Evropës e riforcimit të koordinimit të politikave të saj ekonomike. Hungaria dëshiron të përmirësojë situatën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme që janë shtytëset kryesore në krijimin e vendeve të punës. Do t’i kushtojë përgjithësisht vëmendje nismës për zvogëlimin e nivelit të varfërisë e veçanërisht tek fëmijët, si dhe do të ndërmarrë masat e duhura për integrimin evropian të popullsisë rome.

Politika e brendshme do të jetë e strukturuar në linjë të plotë me politikën e deritashme të BE-së, bazuar në tri elemente: ushqim, energji e ujë. Presidenca hungareze synon të forcojë politikat në këta sektorë, duke i rishikuar e përpunuar ata dhe duke përshtatur njëkohësisht një strategji evropiane për zhvillimin e rajonit të Danubit në kuadër të debatit për ruajtjen e burimeve hidrike. Problematika energjitike do të jetë dhe tema e samitit të parë për këtë vit e mirëpritur nga Presidenca hungareze më 4 shkurt, ku kryetarët e qeverive dhe shteteve anëtare do të diskutojnë për funksionimin e tregut evropian të energjisë, për infrastrukturat energjitike, mbi promovimin e teknologjive të reja dhe koordinimin e politikave energjitike të vendeve të Bashkimit Evropian ndaj vendeve të treta. Hungaria gjatë gjashtë muajve të Presidencës së saj kërkon të arrijë një kompromis me Parlamentin Evropian për një rregullore për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë. Projekti i kësaj rregulloreje që i është prezantuar Komisionit Evropian më 8 dhjetorin e shkuar, shpreh tendencën e kundërshtimit ndaj manipulimit të çmimeve e tregtisë së brendshme në merkatat e shitjes me shumicë të gazit e elektricitetit, duke i detyruar tregtarët e kompanitë elektrike të informojnë autoritetet e kontrollit për transaksionet e tyre si dhe të japin informacione ekskluzive që ndikojnë në çmim para se ulja dhe ngritja e tij të arrihet realisht.

“Lëru të huajve gjuhën e tyre, zakonet e tyre, pasi mbretëria që zotëron veç një gjuhë e ka kudo veç një kostum është e brishtë dhe e përkohshme (“Uunius linguae, uniusque moris regnum imbecille et fragile est” – është shprehja e njohur e Stefanit I të Hungarisë më 1846, nga ku frymëzohet edhe politika kulturore evropiane e Hungarisë në gjashtë muajt e ardhshëm. Presidenca hungareze ka si objektiv të tërheqë vëmendjen e vendeve anëtare ndaj multikulturalizmit si një vlerë evropiane që ka nevojë të mbrohet, e multikulturalizmi do të jetë tematika kryesore e ngjarjeve kulturore gjatë muajve të udhëheqjes së saj. Gjithashtu, Hungaria do të synojë të kontribuojë në zbatimin e programit të Stokholmit për zgjerimin e zonës Shengen, lëvizjen e lirë dhe ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut. Komisioni i lartë i ONU për të drejtat e emigrantëve (UNCHR) me rastin e marrjes së Presidencës evropiane i ka përcjellë shtetit hungarez rekomandimet e saj: “Hungaria, – thuhet në dokument, – hyn në gjashtëmujorin e Presidencës së BE-së pikërisht në një vit fortësisht të rëndësishëm për mbrojtjen ndërkombëtare. Më 2011 mbushen 60 vjet nga nënshkrimi i Konventës së Statusit të emigrantit më 1951 e 50 vjet nga Konventa Apolide e 1961 (Apolide përkufizohet një person që asnjë shtet në bazë të rregullit të tyre juridik e konsideron qytetar). Këta përvjetorë duhet të jenë një mundësi më shumë për të forcuar ndihmën e mbështetjen ndaj refugjatëve e apolideve kudo në botë”.

Në kuadër të politikës së zgjerimit e të fqinjësisë së mirë Hungaria dëshiron t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurimit të një perspektive integrimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2011-s do të synojë t’u japë fund bisedimeve për pranimin e Kroacisë në BE si dhe do t’i japë prioritet objektivit të forcimit të dimensionit të fqinjësisë së mirë nën frymën e të cilit do të presë në maj Samitin e Partneritetit Lindor.

“Ndërtimin e miqësisë mbi gërmadhat e luftës dhe urrejtjes, gjunjëzimin e mëtejshëm të komunizmit, bashkimi i Evropës, krijimi i monedhës unike, ngritja e unifikimi i një rajoni ekonomik përbërë nga 500 milionë njerëz e 27 vende që pa dyshim më e vështirë se sa puna që na pret ne tani, – shprehet Kryeministri hungarez, – pse atëherë nuk duhet të jemi optimist?”

Puna gjashtëmujore e Presidencës së mëparshme belge pati një nisje pozitive me një ngritje optimiste në politikën e përgjithshme evropiane, i takon Hungarisë për të shtuar avantazhet e saj e më pas Polonisë për të arritur një mbyllje të suksesshme të 2011-s

Botuar nga Alba Kepi

Journalist Free Lance International Press albakepiblog.wordpress.com

Lini një koment