Luks mania!

Alba Kepi

“Më jepni luksin. Do ta përdor vetëm për nevojë”, – shkruante Oscar Wilde e çdokush, duke u ndalur më gjatë në konceptin e luksit, mund të kuptojë se jo çdo gjë merr fund këtu.

Luksi, mania e mrekullueshme e kohës së sotme, koncepti injorues i çdo krize ekonomike, nje permbytes i vazhdueshëm ne imagjinatën tonë.

Herë është një qen i racës dalmat “i rrallë” në ekzistencën e fiziologjisë së tij, një yorkshire terrier i zbukuruar me varëse Swarovski, një celular që tingëllon verbueshëm mes diamantesh, një kallashnikov i larë me flori, teka të paimagjinueshme tej mureve të supervilave, superteknologji apo mirëqenie që estetikisht realizohen me anë të mekanizmave të amplifikimit, të ekzagjerimit ekstrem të formave të kushtueshmërisë së pamotivueshme të objekteve, ambienteve deri në atë pikë sa të duken banale, “provinciale” e shpesh “kitsch”.

Gjithçka në maksimum, më e mira në kulmin e çmimit, jo përkundrazi e paçmueshme. Ndërsa ekspertët ekonomikë alarmohen për rrezikun e zhvlerësimit të euros, flasin për daljen o ende jo nga kriza ekonomike botërore apo rritjen e çmimit të naftës, kronika rozë mbushet me supertituj; “X blen një hapësirë në kozmos!”, “Y ka prenotuar një udhëtim në Hënë!” apo me lajme ekskluzive nga realiteti shqiptar, derivat i shkëlqyer i provincializmit kulturor të shoqërisë: “X i blen veshjet e saj vetëm në shtetin Y evropian”, “X ka blerë një makinë të re”. Luks objektiv, subjektiv, paradokse nën paradokse e disa qeshin, disa ëndërrojnë të paimagjinueshmen, të tjerë mllefosen nga bota e tyre e të tjerë akoma mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër vetëm luks.

“Prej dy mijë vitesh flitet kundër luksit, por ai është gjithmonë i adhurueshëm”, – me këto fjalë Voltaire shpjegonte fenomenin kaq abstrakt të tejmbushur me superflu, me tepri kuptimplote, me vetëdukje vulgare, me bukuri të parregullt, e pra pa dyshim ai, luksi.

Edhe pse me mbi dy mijë vite kritikë në kurriz, luksi qëndron ende i varur midis vlerave të tij ekstreme, në pritje për të fituar kuptimin e plotë real. Rinovimi i adhurimit të tij të përjetshëm evulohet diagonalisht me të gjitha aspektet e jetës së përditshme: modë, ushqim, estetikë, kohë e lirë, pushime. Prej disa dekadash luksi ka fituar qytetarinë si fjalë me një autoritet të denjë në botën e leksikut ekonomik e financiar: shenjat e luksit, imazhet e luksit, polet e luksit, marka luksi, të ardhura luksi. Autoritetin e forcës joshëse të tij e kishin kuptuar qysh gjatë ‘700-s filozofët Diderot e Montesquieu, Condillac e Mandeville, duke i dedikuar traktate e polemika. E akoma më mirë e shpjegon në fillim të ‘900-s sociologu gjerman Werner Sombart me demonstrimin se si luksi qe motori themelor i akumulimit të kapitalit fillestar, në kundërshtim me bindjet “veberiane” ndaj karakterit “kalvinist” e kursimtar të borgjezisë. Megjithatë, sfera ekonomike nuk shpjegon dot plotësisht se dhe pse në krizat më të rënda ekonomike, luksi është gjithmonë aktual, qoftë dhe në formë jokomode, jo të rregullt e dukshmërisht jo morale.

Po çfarë është luksi? Pyetja, dhe pse fillimisht duket banale, nuk është aspak e tillë sidomos nga të gjithë ata që jetën e tyre ia kanë dedikuar promovimit të të ashtuquajturës “markë luksi”. Disa mendojnë se luksi është antonimi i varfërisë, disa të tjerë e shohin si e kundërta e vulgaritetit e dikush e identifikon në emocion, në vlerë që vë në lëvizje esencën me marrëdhënien. “Nuk ka asgjë më të nevojshme sesa ajo çka konsiderohet superflu”, – vazhdoj të citoj Volatire e luksi herë është një qen dalmat me paruke, një yorkshire terrier me veshje të personalizuar, një mbajtëse cigaresh platini, trajtime trupi nga më të paimagjinueshmet, kapriço të shprehura në super bit, automjete të personalizuara apo të epokës, design e food, pra pothuajse gjithçka që estetikisht realizohet me anë të mekanizmave të amplifikimit, të ekzagjerimit ekstrem të formave të kushtueshmërisë së pamotivueshme të objekteve e ambienteve deri në atë pikë sa të duken banale, “provinciale” e shpesh “kitsch”. Luksi hedh në skenë teprinë, atë që shërben për një qëllim jokomod e që kapërcen nevojën e thjeshtë. Është “riprodhimi teknik i sublimes”, është zotërim i të jashtëzakonshmes, harxhim e dallim pa çmim.

Interpretimi i parë, i sinqertë e më i përhapur identifikon me luks çdo objekt të kushtueshëm e kuptimi i përgjithshëm në fjalorin e çdo gjuhe e përkufizon si: “çdo gjë që kushton shumë në raport me përdorimin e tij, me nevojat që kryen o me mundësitë ekonomike të atij që e dëshiron; është çdo gjë që nuk është e nevojshme; shprehje e pasurisë e bollëkut”. Por realiteti aktual na largon pak nga këta rreshta, në fakt sot mund të pohojmë se çdo luks është subjektiv, madje luksi i vërtetë nuk shfaqet, mbetet i fshehur brenda një fasade thjeshtësie që ka “luksin” për të jetuar kushtet e tij në mënyrë të qetë e të rezervuar.

Luksi nuk ka nevojë për një shfaqje agresive e provokuese, i mjafton të ekspozojë vlerat e tij në mënyrë lineare, pasi aktualisht luks do të thotë të zotërosh të ashtuquajturat “rezerva në zhdukje”, kohë e lirë, përkushtim nga dikush, hapësirë, ujë… Në fakt, të kuptosh sot se cili është luksi i vërtetë të çon të analizosh jo sjelljet e njerëzve përkatës të rretheve elitare që njihen qysh në shikimin e parë, por jetojmë në një epokë, e cila po njeh lindjen e tipave të ndryshëm të luksit, deri në privilegjin ekskluziv të dëshirës që shumë kanë, për të hyrë e qenë pjesë e këtyre rretheve elitare. Studiozët e sotëm janë përpjekur të japin një “vademecum” të karakteristikave të këtij fenomeni për ta bërë sa më pak enigmatik në sytë e të gjithëve. Duke identifikuar katër përgjegjësit e mundshëm e të ndryshueshëm të fjalës luks, sociologët sot hapin tematika e polemika për çdonjërin prej tyre. Pra, për ta luksi është: cilësi ekselente, çmim, estetikë dhe vlerë unike. Luksi është një bashkëjetesë sensesh, është një stil jete, është një eksperiencë që të lejon të kesh momente kënaqësie ndaj vetvetes, duke vënë në lojë të pesta senset, si dhe sensin e gjashtë; emotivitetin e kënaqësisë së të ndjerit se i përket një kategorie të zgjedhur e shumë speciale. Dëshira për luks është gjithmonë e lidhur me nevojën e vetafirmimit bazuar në përkatësinë e një grupi të caktuar social.

“Më jepni luksin. Do ta përdor vetëm për nevojë”, – thoshte Oscar Wilde e çdokush, duke u ndalur më gjatë në konceptin e luksit, mund të kuptojë se jo çdo gjë ndalet këtu.

Por ne shume pjese botës luks është sot shuarja e ejes, ngopja e urise, nje pale kembe te mbathura, pak fuqi per te ecur drejt, vullneti per te mos u kthyer prapa, qetesia e shumepritur  për të mos dëgjuar zhurmë armësh, ashtu siç eshte në shkretëtirë një gotë ujë i freskët, i pirë nën hijen e një palme.
Sot gjërat ndryshojnë shpejtësisht dhe rëndësia e perceptimit të luksit të drejton në konsiderimin luksoz të objekteve që nuk janë aspak të tilla, saktësisht ashtu siç thotë dhe një proverb e vjetër: “Jo çdo gjë që shkëlqen, është luks” ose siç thotë slogani historik i Coco Chanel: “Luksi është kërkesa e pëlqimit ndaj vetes, dhe jo e flamurizimit të saj”. Luksi më i madh është koha e sot është gjithnjë e më e pakët. Koha për të menduar, për të reflektuar, për të medituar, për të kuptuar, për të ndryshuar, për t’u përmirësuar. Koha për të gjetur ekuilibrin me vetveten, me të tjerët, për të stabilizuar energjinë e dedikimin ndaj personave që të rrinë pranë fizikisht e mendërisht, ashtu siç thotë shkrimtari francez Antoine Marie Rogerde Saint-Exupery: “Ekziston vetëm një luks i vërtetë, ai i raporteve humane”.

Udhëtim historik i luksit

Imazhet e luksit janë përmbajtje të natyrshme në skenarin e jetës imperiale të epokës së vonë romake.

Të kthehesh pas në kohë e të jetosh në epoken e Romës antike është një gjë e mrekullueshme, por vetëm për të pasurit. Luksi i asaj kohe nuk ndryshon shumë nga ai i sotmi pasi kanë të njëjtin objektiv “dukjen sa më mirë” e jo vetëm për një kënaqësi personale, por për të nënvizuar mbi të gjitha statusin më të ngritur politik, social e ekonomik ndaj të tjerëve. Shtëpi madhështore, tekstile të çmueshme, vepra arti të paçmueshme në vlerë, por dhe jetë nate elektrizuese me festa e bankete mbretërore. Mjete e metoda estetike, bizhuteri, trajtime termike, teatër, palestër, shfaqje teatrale e lojëra sportive ishin argëtimet luksoze të romakëve të pasur.

Në mendimin e krishterë mesjetar, luksi mori një veshje negative e shpesh renditej midis veseve e mëkateve kapitale. Megjithatë, ai vazhdon të mbetet një pjesë integruese e jetës ekonomik e sociale, shembull i të cilit në të gjithë Evropën qe oborri mbretëror i Luigjit XIV me pallatin e tij madhështor të Versajës. Me iluminizmin merr jetë një epokë e re në debatin ndaj luksit, i parë tashmë në një këndvështrim të ri. Kontributin më të rëndësishëm në këtë drejtim e dha vepra e Bernard Mandeville e vitit 1729, sipas të cilit, luksi përfaqëson një ves privat e në të njëjtën kohë përbënte një të mirë për shoqërinë, pasi favorizonte qarkullimin e pasurisë, industrisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Ky vizion u ritrajtua nga Robert Turgot e nga një pjesë e iluministëve si p.sh. Voltaire në poemat e tij “Le Mondain e Défense du Mondain ou l’Apologie du Luxe” (1737) e këto ide po u përgjigjeshin kërkesave të një borgjezie treguese e prodhuese përherë e në rritje. Gjatë shekullit XVIII një rrymë mendimi vazhdoi të ushqente polemikat kundër luksit, rehatllëku e pasuria konsideroheshin simptomat e dekadencës së shoqërisë aristokratike. Nën fluksin e Jean-Jacques Rousseau u rivlerësuan ideali i normalitetit, thjeshtësisë e aktivitetit të jetës republikane. Në Zvicër gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII debati i luksit u bë një nga pikat kyçe të ditës dhe përfshiu mjaft intelektualë të kohës si Isaak Iselin e Leonhard Meister, Beat Ludwig von Muralt e Johann Heinrich Pestalozzi.

Punimi më i plotë, më interesant e më i dokumentuar mbi atë çka prezanton luksi, qe pa dyshin libri i historianit, sociologut e ekonomistit gjerman, Werner Sombart “Luksi e kapitalizmi” i botuar më 1913. Në pesë kapitujt e këtij libri radiografohet fenomeni i origjinës së kapitalizmit, ku sipas autorit të tij, lindi e pati rritje në mbretëritë e shekullit XV. I përpiktë, i dokumentuar e interesant është përshkrimi që i bëhet luksit të 1400-s e deri në vitet në vazhdim. Shpenzimet e Mbretit të Francës, tekat e dashnoreve të Luigjit XIV që rëndonin mbi arkën e shtetit, preventivat dhe paratë e përdorura për të ndërtuar e përmirësuar rezidencat mbretërore në një Francë me një ekonomi rurale qenë shprehje luksi dhe shenjat e para të kapitalizmit. Me mbarimin e Mesjetës asistohet në një zhvillim të jashtëzakonshëm të jetës mbretërore e oborri i parë modern që shfaq hapur luksin superflu qe ai i Avignone-s.

Principet italiane të Rilindjes amplifikojnë këto tendenca e u dhurojnë damave aristokratike një influencë të madhe në administrimin e kapitaleve. Supremacia femërore është dukshëm objektivi final i oligarkive që qeverisin Perëndimin modern. Ndërsa në Mesjetë luksi shfaqej në pasuri territori, në Rilindje shfaqet në vleftë monetare e fillon të qarkullojë një sasi e madhe paraje dhe për shkak të arit e floririt që vinte nga Amerika. Shumëfishohen titujt aristokratikë, asistohet në futjen e elementeve të reja borgjeze dhe koncepti tregtar në botë përhapet shumë, duke infektuar të gjitha shtresat sociale. Qytetet zmadhohen e fillon të lindë një proletarizëm urban, forcat e të cilit do t’u vihen në shërbim shekujve të mëvonshëm. Nga pasuria e luksi po lindte kapitalizmi me aleatët e tij natyralë që dikur Mesjeta i konsideronte të dyshimtë. Paraja që për Kishën mesjetare konsiderohej “një skelet i demonit”, për protestantët konsiderohej si një dhuratë e Zotit. Vetë Mbretëresha Maria Antonieta ishte e çmendur pas luksit të shfrenuar me një jetë aristokratike pothuajse tërësisht të korruptuar.

Fundi i shekullit XX dhe shekulli XXI e kthehu luksin në skenën e një shqise të gjashtë që kapërcen kodet tradicionale materiale për t’u projektuar drejt një sfere akoma më të rrallë, mënyra e të qenit unik e të jashtëzakonshëm triumfon në çdo fushë. E faji është i konsumatorit, gjithnjë e më kritik, më kërkues drejt një autorealizmi mbi koncepte si personalizmi i gjithçkaje që zotëron apo vetëpërkatësia e një grupi social tendencioz i shoqërisë.

Luksi si një ngjarje sociale identifikohet në aftësinë për të flirtuar me intelektin e linjëzohet me sensacionet që arrin t’i transmetojë çdo konsumatori të vetëm, është një lojë pa mbarim manish, kontradiktash, kontrastesh infinite që turbullojnë edhe studiuesin që edhe pse i vëzhgon pa moralizëm e paragjykime, ndien forcën shtrënguese dhe bashkëkohore të joshjes së tij.

Botuar nga Alba Kepi

Journalist Free Lance International Press albakepiblog.wordpress.com

Lini një koment