8 Marsi Mysliman!

Alba Kepi

Cdo 8 Mars mungon dedikimi mediatik ndaj grave myslimane! 

Kujtohemi të flasim për gratë myslimane vetëm kur dikush ndalon hyrjen e tyre në një institucion publik, kur një parlament po miraton një ligj mbi lejimin apo jo të shamive në kokë apo kur kronikës së zezë të ditës i shtohet një ngjarje e rëndë e ndodhur për shkak të një fanatizmi fetar.

 

“Historia është dëshmitare e kohërave, drita e së vërtetës, jeta e memories, mjeshtre e jetës dhe ambasadorja e antikitetit” e pra çdo evokim i saj pasuron pozitivisht memorien kolektive apo eksperiencat personale të secilit prej nesh.

Është kthyer tashmë në traditë që në prag të 8 Marsit, Festës Ndërkombëtare të Gruas, të lexojmë në faqe revistash apo gazetash evokimin e kuptimit historik të kësaj dite, të kujtojmë rrugën e gjatë shumëvjeçare të luftës për të drejtat e barazisë së gruas me burrin apo të rendisim lista me emra grash të suksesshme në politikë, shkencë, art . E deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, përkundrazi ashtu siç thotë dhe Ciceroni: “Historia është dëshmitare e kohërave, drita e së vërtetës, jeta e memories, mjeshtrja e jetës dhe ambasadorja e antikitetit” e pra çdo evokim i saj pasuron pozitivisht memorien kolektive apo eksperiencat personale të secilit prej nesh. E kjo festë bashkon memorie e dëshira akoma të parealizuara të mjaft grave kudo në botë.

Por ja që rrallëherë, për të mos thënë kurrë, gjen t’u dedikohet mediatikisht kjo ditë grave myslimane, ndaj të cilave shpesh një opinion i gjerë ndalet t’i gjykojë vetëm në atë çka pamja e tyre e jashtme ofron.

Dikush i quan “fantazma që ecin”, dikush “pamje pa fytyrë”, një tjetër “kuriozisht qesharake” e të tjerë akoma midis të cilëve dhe unë i gjej mrekullisht të denja për të festuar me ne Festën e Ndërkombëtare të Gruas. Identifikimet absurde të dritëshkurtërve nuk limitojnë askënd të shohin se përtej një veshjeje tradicionalisht fetare qëndron një mendim inteligjent, një shqetësim, gëzim, hidhërim, opinion, pra perceptime aspak të ndryshme nga ajo çka mund të na ofrojë silueta e një femre tradicionalisht moderne, që jo rrallë mundohet t’i fshehë ato nën një dekolte të ekzagjeruar apo një minifund pa vend. Kujtohemi të flasim për gratë myslimane vetëm kur dikush ndalon hyrjen e tyre në një institucion publik, kur një parlament po miraton një ligj mbi lejimin apo jo të shamive në kokë apo kur kronikës së zezë të ditës i shtohet një ngjarje e rëndë e ndodhur për shkak të një fanatizmi fetar. E atëherë e vetëm atëherë, politikanë, gazetarë, psikologë, showman, shndërrohen në flamurmbajtës të feminizmit islamik apo në analistë të një mendimi perëndimor.

Në blogun e një vajze myslimane lexoj: “Pse në suret e Kuranit vajzat krahasohen me lule?… edhe literatura joislamike shpeshherë e krahason gruan me një lule… lulet janë delikate, thyhen shpejt e kanë nevojë të mbrohen, kanë nevojë për kujdesin e familjes, miqve e të fesë”. E në një blog tjetër një vajzë myslimane i thotë mikes së saj të krishterë: “Shiko Hënën: Sa ditëshe është sipas teje? Heshtje. E pra çdo mysliman i mirë, duke vëzhguar hënën, di me saktësi në çfarë pike të ciklit të saj gjendet”. “Historia njerëzore është në borxh ndaj gruas, në çdo vend detyrimet e saj kanë qenë më të mëdha se të drejtat e saj”, – shkruan studiuesja arabe Fatime Naseef, e ndaj grave myslimane ky borxh është akoma më i pashlyeshëm do të shtoja unë. Janë miliona gra myslimane në të gjithë botën e vetëm në Evropë numërohen 12 milionë të tilla. Gratë e besimit islamik ashtu si ato kristiane, budiste apo të çdo lloj feje tjetër apo jo kanë mes tyre dallime sociale, kulturore, politike e etnike, por pothuajse të gjitha gratë myslimane janë pre e stereotipave diskriminues që i paraqesin si viktima të martesave me forcë, të dhunës në familje e vrasjeve në emër të nderit. Ndaj tyre vihet re një persekutim rritës i medias moderne, që shpesh, edhe pa dashje, e kryejnë nën justifikimin e të drejtës për të informuar. Gruaja myslimane konsiderohet gjithmonë në imagjinatën kolektive si gruaja me fytyrë e trup të mbuluar, mbi të rëndojnë paragjykime që nuk bëjnë gjë tjetër veçse operojnë për ta thelluar këtë diskriminim.

Çështja e situatës dhe e pozicionit të gruas në kulturën islamike është shpesh objekt keqkuptimesh me botën e Perëndimit në të cilën është përhapur një vizion reduktues e karikaturues i kësaj feje në përgjithësi e i kushteve të gruas myslimane në veçanti. Por askush nuk duhet të harrojë se nuk ekziston një grua myslimane unike. Kushtet e femrës në islamizëm ndryshojnë nga shteti në shtet. Ligjet e Kuranit janë adaptuar gradualisht nga sisteme vlerash social-kulturore që mbarsin e transmetojnë elementë me drejtime të ndryshme interpretuese. Në këtë kontest është e qartë se statusi, roli e të drejtat e gruas variojnë sipas shkollës juridike, historisë së kombit e transformimeve kulturore lokale. Doktrina e Kuranit gjatë shekujve është interpretuar në mënyrë të ndryshme nga rrymat karakterizuese të mendimit mysliman. Reformues, moderatorë, fondamentalistë me hapësirat përkatëse kanë influencuar në legjislacionin e shteteve islamike duke krijuar dallime esenciale në interpretimin e zbatimin e ligjeve të Kuranit. Në legjendat antike myslimane thuhet se disa nga gratë e komunitetit të parë mysliman qenë feministe të bindura si p.sh. luftëtarja Nusaybah që së bashku me të tjerat i kërkuan profetit Muhamed se për cilën arsye në Kuran Zoti u drejtohet vetëm burrave e kurrë grave. E gjithnjë sipas legjendës, Zoti njohu vlefshmërinë e kësaj kërkese e tashmë deri në infinit çdo tekst i shenjtë do t’u drejtohet si besimtarëve ashtu dhe besimtareve.

“Sa gra kanë udhëhequr e drejtuar çështje të rëndësishme, sa të tjera janë dalluar për inteligjencë e perfeksionim e arsimimi i tyre nuk varej nga burrat”, -shkruante më 1892 Hind Nawfel, e para grua egjiptiane që i dha jetë një reviste feministe në gjuhën arabe “Al Fatat” e ndjekur më pas nga shumë revista të tjera. Gjatë Luftës së Parë Botërore më shumë se 25 gazeta feministe arabe publikoheshin nga gra të Lindjes së Mesme, si Damask, Bejrut, Kajro, Bagdad. Hindi Nawfel flet për gra myslimane të forta, të pavarura ku besimi ndaj vetes e afirmimi i tij nuk mbështillej fshehtësisht nën fytyrën e mbuluar. Mjaft prej tyre kanë qenë trashëgimtare të denja e pjesë integruese e traditës islamike me emra të humbura në kohë e suksese të harruara. E stereotipi i sotëm ai që mendjelehtësisht i quan “fantazma që ecin” argëtohet duke i prezantuar gratë myslimane si një grua unike, e dobët, pa zë, pa fuqi e dhunësisht e nënshtruar. Por si islamizmi shpirtëror fetar, ashtu dhe ai politik, është i mbushur plot me histori me protagoniste gra të forta, trashëgimia e të cilave kërkon sot një rievokim të imazhit e mendimit të tyre. Feminizmi islamik shikon tek e kaluara rrënjët e shëndetshme për të identifikuar të tashmen, e kaluar që duhet të çlirohet nga leximi vetëm letrar i Kuranit e nga interpretimet patriarkale.

Bota islamike mbars sot tri rryma mendimesh për çështjen e femrës: 1-Mendimi që mbështet idenë se feminizmi i vërtetë në jetën myslimane do të afirmohet vetëm me pranimin e modelit të gruas perëndimore. 2-Mendimi konservator i strukturuar si një reaksion i kushtëzuar nga fjalimet feministe e ka si bazë një lexim sipërfaqësor e letrar të Kuranit. 3-Mendimi i tretë ka një referencë të theksuar fetare me një qëndrim shpirtëror kritik, duke synuar të kthejë modelin e femrës së sotme pa veshje kulturore. Nuk është Islami që dekreton diskriminimin, por është instrumentalizimi politik i fesë me qëllime negative. Historia na mëson se në këto qëllime Islami harrohet plotësisht, pasi përkundrazi, referimi autentik e lufta kundër injorancës janë forcat e vetme të tij për të gjallëruar kushtet njerëzore femërore e mashkullore.

Po të ndalemi tek problemi i shkollimit, Kurani është mjaft i qartë e nuk lë asnjë vend për interpretime të gabuara: “Gruaja duhet të marrë pjesë në të gjitha nivelet e shkollimit dhe është detyra e prindërve të garantojnë edukimin e shkollimin e fëmijëve, si djem ashtu dhe vajza e qysh në një moshë të hershme”. Profeti Muhamed proklamon se “kërkesa e dijes është detyrim për çdo mysliman e myslimane” e pas vdekjes së tij, e dokumentuar historikisht është ekzistenca e një elite dijetarësh prej 8000 personash, 1000 prej të cilëve ishin femra.

Emancipimi i islamizmit njihte qysh në çerekun e parë të shekullit raportin 1/8 të intelektualizmit të gruas. E nuk mbaron me kaq, universiteti i parë i hapur në tokën e Islamit Al-Qarawiyyin a Fes, në shekullin IX, është vepër e një gruaje të quajtur Fatima al-Fihiriya e konsiderohet nga më antikët e botës myslimane. Universiteti i Egjiptit “Al-Azhar” u ndërtua po nga një grua, Al-Khanzida, që historikisht ndërtoi në këtë qytet dhe një spital, një xhami e një jetimore. Ja dy shembuj figurash femërore ndaj jetës së të cilave dihet shumë pak, por që falë tyre lindën dy universitetet fetare nga më të rëndësishmit të botës myslimane. Një mishërim i vërtetë i shkollimit të hershëm e të suksesshme të gruas myslimane është pa dyshim Aishja, gruaja e profetit. Ajo qe themeluesja e shkollës juridike islamike dhe krijuesja e mjaft gjeneratave të shkolluara myslimane. Aishja konsiderohej si një nga dijetaret më të mëdha të islamizmit të asaj epoke, mjaft tekste historike dokumentojnë ekselencën e saj në shkencat fetare, në shkencë, në gjuhën arabe, në historinë e civilizimit e në letërsi. Masruq, një nga dijetarët e kësaj periudhe e një ish-nxënës i Aishes, shkruan: “Betohem ndaj atij të cilit i përket jeta ime se kam parë shumë besnikë të profetit që merreshin në pyetje nga Aishja për mjaft praktika fetare e kur diskutonin mes tyre, kërkonin zgjidhje në përgjigjet që ajo jepte”. Edhe Abu Musa dokumenton: “Kur kishte çështje të vështira pa rrugëzgjidhje, ne shoqëruesit e profetit shkonim te Aishja, tek e cila gjenim zgjidhje”. Imperatori turk, Ulugh Bey (1393-1449), gjithashtu dhe shkencëtar, kishte skalitur në fasadën e universiteteve Bukhara e a Samarkanda, të themeluara nga ai, thënien e profetit Muhamed: “Burrë apo grua çdo mysliman duhet të studiojë shkencë”. Nuk ka nevojë të shtosh se këto universitete frekuentoheshin si nga meshkujt ashtu dhe nga femrat. E ka të drejtë teologu i sotëm, Hamza Boubakeur (rektor i Xhamisë së Parisit, rektor i Institutit Universitar Islamik të Francës, anëtar i Parlamentit francez, pasardhës direkt i Ebu Bekrit) kur shkruan: “Njerëzit e informuar keq dhe mohuesit e islamizmit që përgjithësisht nuk tërhiqen përballë asnjë gënjeshtre e akuzojnë se ka shkatërruar kushtet e femrës. Deri më sot asnjë besim fetar i njohur pagan e modern monoteist apo politeist është kaq në favor të fëmijës e gruas sa ç’është feja islame”. Më 1200, në Bagdad numëroheshin 36 biblioteka publike. Ajo e Khinzana al-Kutub numëronte rreth një milion e gjashtëqind dorëshkrime, Biblioteka e Cordoba-s kishte mbi 40 000 libra e për të pasur një ide, po në këtë epokë Biblioteka e Vatikanit kishte vetëm 986 libra. Të shumta qenë dhe gratë myslimane në krye të një shteti, mbretëresha e udhëheqëse. Nga më të rëndësishmet është ndoshta Raziye Khatûn, sulltanja e Delhit, në Indi gjatë shek. XIII, e cila pushtoi dhe shtetin e Gwalior. Apo dhe Amina di Zazzau lindur më 1533, me pasionin për artin e luftës dhe të qeverisjes nuk pranoi të martohej e krejtësisht e pavarur u bë mbretëreshë më 1576. Prijëse të suksesshme myslimane qenë dhe Shajar âl-Durr, mbretëresha e Egjiptit (1249 – 1250) apo dinastia Begum që mbretëruan në shtetin indian Bhopal (1844 -1926). E fundit qe Sulltane Jahan, që mbretëroi nga 1901-1926. Të tjera si Validé Sultan e Oborrit otoman turk hipën në fron gjatë kohës që i biri trashëgimtari i fronit ishte ende në moshë minore për të mbretëruar dhe të tilla qenë edhe Kösem Mahpeyker, 1589-1651 që mbretëroi nga 1623 në 1632 e Hadice Tarhàn, 1627-1683). Nana Asma’u i dha nisje lëvizjes për shkollimin e grave në Nigeri më 1840, Huda Sharaawi qe pionierja e lëvizjes së grave egjiptiane e nga të parat që zbriti në shesh kundër kolonizimit britanik, kurse Sharifa Hamid Ali, formuloi më 1937 modelin e kontratës martesore, ku midis mjaft kushtesh fut dhe të drejtën e grave për të divorcuar. E, kësaj liste mund t’i shtosh shumë e shumë shembuj femrash të arsimuara e të emancipuara që nuk kanë reshtur kurrë së proklamuari idetë e bindjet e tyre në mbrojtje të të gjithë universit femëror, një histori kjo krejtësisht e ngjashme me atë të lëvizjes femërore të botës së Perëndimit. Sigurisht pa harruar Benazir Bhuto, ish-kryeministre e Pakistanit, e para grua në krye të një vendi me një shumicë popullsie myslimane e vrarë gjatë një atentati më 27 dhjetor të 2007-s. Pak muaj më parë, Presidenti Barack Obama nominoi një grua myslimane të mbuluar në “Advisory Council on Faith-based and Neighborhood Partnerships” të Shtëpisë së Bardhë e ky gjest u transformua në një temë të nxehtë në Evropë duke gjeneruar pikëpyetje e mundësi mbi pjesëmarrjen politike të grave myslimane në kontinentin e vjetër. Me bukuri mahnitëse, inteligjente, elegante, moderne konsiderohen sot tri figurat më të rëndësishme të “Revolucionit Rozë” në Lindjen e Mesme. I thërrasin “ambasadore të ndryshimit”, figura e tyre ka mbushur kopertina revistash nga më të rëndësishme të botës, duke mënjanuar mbretër, presidentë e ministra. Ato janë Asma al-Assad. Rania e Jordanisë e Tzipi Livni. Asma al-Assad është gruaja e Rais të Damaskut Bashar el-Assad. E laureuar në Informatikë, e apasionuar pas new economy e laureuar në Letërsinë Franceze, kjo 33-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, interpreton në mënyrë dinamike rolin e First Lady. Asma al-Assad u ka dhënë jetë projekteve për zhvillimin ekonomik të Sirisë, midis të cilave i pari Ong sirian për zhvillimin rural e njëkohësisht vazhdon të merret me fushatat për edukimin e femrës në botën arabe, për rolin e grave sipërmarrëse e për zhvillimin e informatikës. Aktiviteti i saj kulturor e veçanërisht historik e artistik bëri që Universiteti La Sapineza në Romë t’i njohë titullin Honoris në Arkeologji. Rania e Jordanisë, një identitet kozmopolitan i njohur për pasionin ndaj shkencës së teknologjisë. “Jam arabe nga koka tek këmbët, por flas dhe një gjuhë internacionale… takimi me kultura e tradita të ndryshme më ka dhënë mjaft forcë e siguri, nuk konsideroj më askënd të huaj”, – ka thënë ajo. E bukur, elegante, një ikonë e stilit dhe e modës Rania konsiderohet Jacqueline Kennedy e Mileniumit të Tretë. Siti i saj http://www.queenrania.jo me video-mesazhin e saj në Youtube vetëm gjatë dy ditëve të para online u popullua nga 150 mijë utentë me mbi 500 mijë komente në të. Korrespondenca email me njerëz të thjeshtë është pjesë e axhendës së përditshme të kësaj mbretëreshe, e cila shprehet: “Me internet, kompjuter e me mundësitë që të ofron informacioni multimedial nuk mund të izolohesh më. Paqja nuk mund të limitohet në zgjedhjet apo në kurajon e liderëve. Në Lindjen e Mesme nuk ka akoma një përfshirje të plotë të njerëzve. Por kur paqja do të hyjë në interesat e tu, e ndezur nga bashkëpunimi, rreziku i konfliktit do të largohet derisa të eliminohet. Tzipi Livni është gruaja e dytë, pas Golda Meir, në historinë e Izraelit që ka udhëhequr diplomacinë e shtetit hebre. Një mix midis agresives e të ëmblës ajo konsiderohet një personazh politik mjaft i fortë. Më 2007 revista “Time” e klasifikon në listën e 100 personave që po transformojnë botën. Për të flitet se për katër vjet ka shërbyer në radhët e shërbimit sekret izraelit Mossad. Ajo është mbështetëse e paqes dhe e sigurisë nën principin “Dy popuj, dy shtete”.

Sot tentohet të mbështetet ideja se inteligjenca nuk njeh seks, ashtu si dhe zanatet. Kurse unë mendoj se çdo diferencë është një pasuri. Në realitet sot nuk promovohet barazia, por një model ndaj të cilit duhet të konfrontohesh në bazë të suksesit të tij social. Ideja e neutralitetit natyror është një ide false, që gjeneron konflikte e pabarazi e në Islam, krahas idesë së barazisë, gjejmë dhe vlerën e ndryshueshmërisë midis femrës e mashkullit si një element esencial e kompletues, si një ekuilibër midis qenieve të ndryshme që plotesohen reciprokisht.

E në blogun e një vajze myslimane vazhdoj në infinit të lexoj: “Jam një lule e i përkas një familjeje të larmishme. Trëndafila të parfumuar, margarita delikate, tulipanë me ngjyra të shkëlqyeshme, orkide… etj. secila dallohet për formën, ngjyrën e parfumin”.

Botuar nga Alba Kepi

Journalist Free Lance International Press albakepiblog.wordpress.com

Lini një koment